Telegrafi

Britania e Madhe do të dyfishojë numrin e trupave në Estoni si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Rusisë

Britania e Madhe do të dyfishojë numrin e trupave të saj në Estoni si pjesë e një dislokimi të NATO-s mes tensioneve të vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe.

“Mbretëria e Bashkuar po dyfishon numrin e personelit në Estoni dhe po dërgon pajisje shtesë, duke përfshirë tanke dhe automjete të blinduara luftarake. Trupat dhe pajisjet do të fillojnë të lëvizin sot drejt Estonisë”, thuhet në deklaratë.

Njoftimi vjen gjatë qëndrimit në Bruksel të Sekretarit të Shtetit për Mbrojtje, Ben Wallace, i cili do të diskutojë situatën në Ukrainë me aleatët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, raporton cnn.

“Përkrah aleatëve tanë të NATO-s, ne po vendosim trupa dhe mjete në tokë, det dhe ajër për të forcuar mbrojtjen evropiane në përgjigje të ngritjes së forcave ushtarake ruse në kufirin e Ukrainës”, tha Wallace.

Batalioni Mbretëror i Uellsit, i cili përfshin automjete të blinduara dhe personel, do të fillojnë të arrijnë në Estoni në javën e ardhshme, thuhet në deklaratë, duke shtuar se helikopterët Apache “së shpejti” do të kryejnë stërvitje me aleatët dhe partnerët e NATO-s në Evropën Lindore.

Katër aeroplanë të tjerë Typhoon të Mbretërisë së Bashkuar kanë zbritur në Qipro dhe do të fillojnë të patrullojnë qiejt në rajon së bashku me aleatët e NATO-s, shtohet në deklaratë.

Mbretëria e Bashkuar ka vënë 1000 personel shtesë britanik “në gatishmëri në Britani për të mbështetur një përgjigje humanitare, nëse është e nevojshme”.

Shumica e 350 marinsave mbretërorë të njësisë 45 komando të angazhuar në Poloni kanë mbërritur tashmë, tha ministria.

Wallace theksoi se “de-përshkallëzimi dhe diplomacia mbeten e vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë” në kufirin Ukrainë-Rusi.

Ndryshe, Rusia raportohet se ka dislokuar mbi 130 mijë trupa në kufirin me Ukrainën. /Telegrafi/