Britania e Madhe ka vendosur sanksione ndaj katër shtetasve izraelit nën akuzat për “akte të agresionit dhe dhunës” kundër palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ky veprim nga shteti britanik pason nga një lëvizje e ngjashme nga SHBA-ja, e cila së fundmi ka sanksionuar disa kolonë izraelit të akuzuar për dhunë kundër palestinezëve në rajon.
Këto sanksione janë vendosur në përputhje me regjimin global të sanksioneve për të drejtat e njeriut, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se, dy nga katër të sanksionuarit e Britanisë së Madhe “gjatë muajve të fundit kanë përdorur agresion fizik, kanë kërcënuar me armë, dhe kanë shkatërruar prona si pjesë e një përpjekjeje për të zhvendosur komunitetin palestinez”.
Sekretari i jashtëm i vendit, David Cameron, tha se këto sanksione vendosin kufizime për “ata që janë të përfshirë në disa nga abuzimet më të rënda të të drejtave të njeriut”.
“Ne duhet të jemi të qartë për atë që po ndodh këtu. Kolonët ekstremist izraelit po kërcënojnë palestinezët, shpesh me armë, dhe po i detyrojnë ata të largohen nga toka që me të drejtë është e tyre”, tha Cameron.
Gjithashtu, sekretari britanik i ka bërë thirrje Izraelit të ndërmarrë masa për ndalimin e dhunës së kolonëve. /Telegrafi/