Site icon Telegrafi

Bregdeti shqiptar edhe këtë vit destinacioni kryesor i kosovarëve për t’i kaluar pushimet

Kriza ekonomike e cila ka goditur gjithë botën, ka prekur edhe ekonomitë familjare në Kosovës, duke shtuar kërkesat e tyre ndaj Qeverisë që t’ua lejojë mundësinë e tërheqjes së kursimeve nga Trusti.

Pavarësisht kësaj situate, shumë nga qytetarët shprehen se nuk do të jetë pengesë kjo që edhe këtë verë ata t’i kalojnë pushimet verore në bregdet, e kryesisht në bregdetin shqiptar.

Qytetarja Lejla Pula, tha se zakonisht destinacion për t’i kaluar pushimet e ka jugun e Shqipërisë, duke shtuar se shqiptarët e Kosovës janë të lidhur me Shqipërinë për këtë arsye edhe i kalojnë atje pushimet e verës.

“Po zakonisht ne gjithmonë e vizitojmë bregdetin shqiptar. Për shkak se është afër dhe është bukur gjithashtu. Ne jemi të lidhur në një farë mënyre me Shqipërinë dhe kemi dëshirë ta vizitojmë çdo vit. Unë e preferoj Vlorën dhe jugun e Shqipërisë, sepse uji është më i pastër”, tha Pula.

Për Fitore Spahiun, sido që të jenë kushtet ekonomike, ata do t’ia bëjnë disi për t’i kaluar pushimet në det.

“Po do të shkoj këtë vit në pushime. Po mendojmë  t’i kalojmë pushimet këtu afër dikund, në Shqipëri me gjasë. Shqiptarët sido që te kanë ekonominë, për dëshira të veta i bëjnë gjërat ”,  u shpreh Spahiu.

Por krahas atyre që kriza ekonomike nuk do t’i ndaloj që t’i kalojnë pushimet në bregdet, ka edhe prej atyre të cilët këtë vit kanë vendosur që të kursejnë në mënyrë që ta përballojnë sa më lehtë rritjen e çmimeve që po ndodh në shumë artikuj, si pasojë e krizës ekonomike në mbarë botën.

Musli Kabashi, thotë për Telegrafin se  për faktin që nuk qëndrojnë mirë financiarisht si familje, këtë vit nuk do të shkojnë në bregdet. Kabashi tutje tha se nuk është ide e mirë tërheqja e Trustit, për të shkuar në pushime me ato para.

Musli Kabashi- qytetar

“Nuk e di a do të shkoj në pushime këtë vit. Sepse materialisht nuk qëndrojmë mirë. Unë nuk i kisha preferuar askujt që ta tërheq Trustin për të shkuar në deti. Kur të pensionoheni do të mbesni keq, duke marr parasysh që edhe pensionet janë të vogla. Nuk është e domosdoshme që të shkosh në pushime të largëta edhe këtu mund ta bësh pushimin”, tha ai.

Ndryshe nga Kabashi, mendon Linda Osaj, ajo e pohoi faktin që po e pret me padurim miratimin e tërheqjes së kursimeve nga Fondi Perosnal, ku një pjesë të tyre do ta përdorte për të shkuar në pushime. Destinacioni i saj është Turqia dhe Shqipëria.

Lexo po ashtu Rreth 70 për qind e familjeve në Kosovë nuk mund t'i përballojnë shpenzimet për pushim

“Nuk e di ende nuk kemi planifikuar asgjë për pushime. Duhet t’i shohim pak a shumë rrethanat dhe buxhetin. Zakonisht në Turqi dhe në Shqipëri i kalojmë pushimet, varësisht. Tërheqja e parave nga Trusti do të na kishte bërë shumë zgjidhje dhe jemi duke e prit me u miratu. Një pjesë të Trustit do ta shfrytëzoja për të shkuar në deti, nuk mundem të them jo. Po duhet me e shpenzu sepse nuk kemi si ndryshe”, u shpreh Osaj.

Linda Osaj – Qytetare

Në anën tjetër të dhënat e fundit të publikuara nga ASK-ja, në Kosovë rreth 70 për qind e qytetarëve nuk mund t’i kryejnë pushimet vjetore, për shkak se shpenzimet e pushimeve janë të papërballueshme për ekonomitë familjare në Kosovë./Telegrafi/

 

Exit mobile version