Përfaqësuesi Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe se urgjentisht duhet të ndodh depërshkallëzimi i saj.
Këto komente Borrell i bëri në një postim në Twitter, pas një takimi që kishte me kryeministrin Albin Kurti në Bratisllavë së bashku me emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë për të diskutuar për tensionet në veri të Kosovës . Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes Dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, ka shkruar Borrell.
Met Prime Minister @albinkurti in Bratislava to discuss the tensions in the north of #Kosovo.
The current situation is dangerous and unsustainable.
We need urgent de-escalation and a solution through the Dialogue to return to our work on implementing the Agreement reached. pic.twitter.com/cOhKtEothA
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) May 31, 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mbrojti sërish veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Kurti tha në Bratisllavë se Borrellit dhe Lajçakut u ka bërë të qartë se do të kishte mirëkuptim nëse protestat e serbëve në veri do të ishin paqësore.
“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta. Por jo grupet me simbole ‘Z’ që sulmojnë policët e ushtarët e KFOR-it e gjuajnë granata e thërrasin ‘vrisni, vrisni’. Te këto grupe fashiste ne nuk mund ta dorëzojmë demokracinë tonë”, tha Kurti. /Telegrafi/