Trupat ukrainase do të mundin ato ruse dhe vendi do të “lirohet” nga pushtimi, i tha Boris Johnson parlamentit të Ukrainës – duke shtuar se kjo është një luftë “kundër së keqes”.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, i cili është bërë lideri i parë botëror që iu drejtua deputetëve ukrainas që nga fillimi i agresionit të Rusisë në fund të shkurtit, tha se Ukraina kishte dëshmuar se ekspertët ushtarakë “gabuan plotësisht”.
Në një fjalim të regjistruar, ai i tha gjithashtu Verkhovna Rada se “e ashtuquajtura forca e parezistueshme e makinerisë së luftës së Putinit është thyer mbi forcën e patriotizmit ukrainas”.
Ushtarët rusë “nuk kanë më justifikim për të mos ditur se çfarë po bëjnë”, tha kryeministri, i rrethuar nga flamujt britanikë dhe ukrainas.
Ata “po kryejnë krime lufte” dhe “mizoritë e tyre shfaqen kudo që ata detyrohen të tërhiqen”.
Duke iu kthyer Vladimir Putinit, kryeministri britanik theksoi se lufta kishte ekspozuar “marrëzinë historike” të liderit rus – “gabimin gjigant që vetëm një autokrat mund të bëjë”.
“Kur një lider sundon nga frika, manipulon zgjedhjet, burgos kritikët,… – kur nuk ka kufi në fuqinë e tij – atëherë ai bën gabime katastrofike”, tha Johnson.
Një “media e lirë, shteti i së drejtës, zgjedhjet e lira dhe parlamentet e fuqishme, si i juaji” janë “mbrojtja më e mirë kundër rreziqeve të pushtetit arbitrar”, vazhdoi ai.
“Kufomat e armatës ruse që mbushin fushat dhe rrugët tuaja” janë “monumente të marrëzisë së tij”. /Telegrafi/