Telegrafi

Boris Johnson bën thirrje për të futur Ukrainën në NATO sa më shpejt që të jetë e mundur

Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson ka bërë thirrje për të futur Ukrainën në NATO sa më shpejt që të jetë e mundur.

Dhe për këtë, ai ka dhënë argumentet e tij, përcjell Telegrafi.

Në një shkrim për Daily Mail, Boris Johnson ka kritikuar NATO-n se nuk i ka dhënë Ukrainës udhëzime të qarta se kur mund të anëtarësohen në aleancë.

Ish-kryeministri britanik citohet të ketë thënë se Kievi kishte bërë më shumë se sa duhet për të demonstruar përshtatshmërinë e tij për anëtarësimin në NATO dhe se “asnjë vend nuk ka më shumë nevojë për anëtarësimin në NATO”.

Lexo po ashtu Luftëtarët e Wagner po trajnojnë ushtarë bjellorusë

“Kur do të marrim mësim për ato që bëmë në 20 vitet e fundit të trajtimit të Putinit? Është vetë paqartësia jonë, luhatja jonë,… që e ka shtyrë atë të pushtojë (Ukrainën)”, ka thënë ai.

Sipas tij, “për sa kohë që Ukraina është e privuar nga ato garanci zyrtare të sigurisë të Nenit 5 të NATO-s që sigurojnë mbrojtjen kolektive të të gjithë anëtarëve, Putini do të vazhdojë të shkaktojë vrasje dhe kaos – dhe të destabilizojë botën dhe ekonominë botërore”.

Ai shtoi se anëtarësimi në aleancë kishte funksionuar për shtetet baltike dhe Evropën Lindore, prandaj ishte koha që “ta futim Ukrainën në NATO sa më shpejt që të mundemi”.

Johnson ishte kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar kur shpërtheu lufta dhe kishte qenë një aleat kyç për Ukrainën. /Telegrafi/