Bolivia tha të martën se kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin për shkak të sulmeve të saj në Rripin e Gazës, ndërsa fqinjët Kolumbia dhe Kili tërhoqën ambasadorët e tyre në vendin e Lindjes së Mesme për konsultime.
Të tri vendet e Amerikës së Jugut kritikuan sulmet e Izraelit në Gaza dhe dënuan vdekjen e qytetarëve palestinezë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Bolivia “vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me shtetin izraelit në shenjë mohimi dhe dënimi të ofensivës ushtarake agresive dhe disproporcionale izraelite që po ndodh në Rripin e Gazës”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Freddy Mamani në një konferencë për shtyp.
Të tri vendet bënë thirrje për një armëpushim, me Bolivinë dhe Kilin që po shtyjnë për kalimin e ndihmave humanitare në zonë dhe duke akuzuar Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro i quajti sulmet një “masakër ndaj popullit palestinez” në një postim në rrjetin e mediave sociale X, i njohur më parë si Twitter.
Vende të tjera të Amerikës Latine, si Meksika dhe Brazili, kanë bërë gjithashtu thirrje për një armëpushim.
“Ajo që kemi tani është marrëzia e kryeministrit izraelit, i cili dëshiron të zhdukë Rripin e Gazës”, tha presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva të premten.
Autoritetet shëndetësore të Gazës thonë se 8,525 njerëz, duke përfshirë 3,542 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori.
Ndërsa zyrtarët e OKB-së thonë se më shumë se 1.4 milion nga popullsia civile e Gazës prej rreth 2.3 milion kanë mbetur pa strehë.
Ushtria izraelite ka akuzuar Hamasin e mbështetur nga Irani, i cili qeveris territorin e ngushtë bregdetar, për përdorimin e ndërtesave civile si mbulesë për luftëtarët, komandantët dhe armatimin. /Telegrafi/