Site icon Telegrafi

Bojkotimi i Listës Serbe, Osmani: Kjo po ndodh me urdhër të Vuçiqit

Foto: Arkiv

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar lidhur me thirrjet e Listës Serbe për të bojkotuar votimin për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri.

Pas homazheve në Koshare, Osmani para mediave tha se kjo thirrje e Listës Serbe për bojkot vjen me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Për fat të keq edhe kësaj radhe është Aleksandër Vuqiq ai që nuk e mbanë fjalën që e ka dhënë para aleatëve edhe në takime ku kanë qenë prezent edhe kancelari Scholz edhe presidenti Macron por edhe në takime të tjera ku ai kishte garantuar se nuk do të bëjë presion të pa ligjshme ndaj serbeve që mos të marrin pjesë në një proces të tillë”, u shpreh Osmani.

Osmani tha se jemi të përkushtuar që të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë pa dallim.

Lexo po ashtu ​Qeveria i bën thirrje Listës Serbe të mos ushtrojë presion ndaj serbëve për votimin në veri

“Jemi të përkushtuar që serbet që jetojnë në Kosovë të shfrytëzoj të drejtat që atyre u jep Kushtetuta por për fat të keq disa prej tyre po lejojnë që të mbahen peng nga ana e Vuçiqit. Dua në veçanti t’i bëjë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë që të jenë shumë zëshëm për të kundërshtuar këtë presion të pa ligjshëm ndaj serbeve që jetojnë në Kosovë dhe po ashtu ta ndëshkojnë Vuçiqin pasi që nuk ka të drejtë të ndërhyj në procese zgjedhore në Kosovë”, është shprehur presidentja.

E pyetur rreth akuzave të Listës Serbe se institucionet kosovare po u bënë presion komunitetit serb, Osmani ka thënë se ajo janë akuza false të cilat kanë për qëllim që të mbulojnë një presion të jashtëligjshëm që presidenti Vuçiq po e realizon nëpërmjet listës serbe në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version