Site icon Telegrafi

Boateng: Gjithmonë kam thënë se Ronaldo ishte më i miri, por Messi më bëri të mendoja që ta lë futbollin

(Foto: Instagram/princeboateng/leomessi/cristiano)

Kevin-Prince Boateng ka thënë se te Barcelona e kishte vërejtur se sa i mirë ishte Lionel Messi, aq sa kishte menduar që të pensionohej përgjithmonë nga futbolli.

33-vjeçari ishte një huazim befasues te katalunasit në janar të vitit 2019 nga Sassuolo, ndërsa në Camp Nou arriti ta fitonte titullin e La Ligas, edhe pse kishte minutazh të kufizuar loje.

Më pas, ai u transferua te Fiorentina, për të vazhduar te Besiktasi, para se të nënshkruante për klubin nga Serie B, Monza.

(Foto: Instagram/princeboateng)

“Gjashtë muajt e kaluar te Barcelona ishin të mahnitshëm. Në fillim, nuk e besova. Mendoja se më kërkonte Espanyoli, jo Barcelona e vërtetë!”.

“Stërvitja me Messin më la pa fjalë. Gjithmonë kam thënë se Cristiano Ronaldo ishte më i miri në botë, por Messi është diçka tjetër. Ai nuk është normal”.

(Foto: Instagram/princeboateng)

“Derisa stërvitesha me të, për herë të parë në karrierën time ndihesha joadekuat (për këtë sport). Ai bënte gjëra të jashtëzakonshme. Më dukej sikur thosha me vete: ‘Mora fund, nuk do të luaj më!’, ka deklaruar Boateng për DAZN. /Telegrafi/

Exit mobile version