Telegrafi

Blinken: Kremlini nuk ka treguar interes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se Rusia nuk ka treguar interes real për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pavarësisht thirrjes së Putinit për negociata.

Presidenti rus, Vladimir Putin kishte deklaruar gjatë ditës së sotme se është interesuar për ta përfunduar luftën në Ukrainë përmes diplomacisë.

“Në thelb tani, Rusia nuk ka treguar interes për diplomaci kuptimplote për t’i dhënë fund luftës”, tha Blinken në një konferencë shtypi, raporton aljazeera.

Në fjalimin e fundvitit, kryediplomati amerikan theksoi se “një dimër i ashpër është përpara” ndërsa Putin “ndjek strategjinë për t’i ngrirë gjer në vdekje” popullin ukrainas.

“Ne jemi me Ukrainën për aq kohë sa duhet”, tha ai, i cili muaj më parë kishte vizituar kryeqytetin ukrainas, Kievin.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të Ukrainës më 24 shkurt, ku ka shkaktuar mijëra viktima. /Telegrafi/