Telegrafi

Blinken: Forcat ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar se trupat ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë, ka njoftuar sekretari amerikan i shtetit.

Antony Blinken tha se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden erdhi deri tek ky vlerësim pas një “shqyrtimi të kujdesshëm” të burimeve publike dhe të inteligjencës.

“Sot, mund të njoftoj se, bazuar në informacionet e disponueshme, qeveria e SHBA-së vlerëson se anëtarët e forcave ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë”, tha Blinken.

“Vlerësimi ynë bazohet në një rishikim të kujdesshëm të informacionit të disponueshëm nga burime publike dhe inteligjente”, pohoi ai, raporton cnn.

Lexo po ashtu Për herë të parë, Biden e quan kriminel lufte Putinin

Kryediplomati amerikan shtoi se SHBA do të ndajë informacionin e saj me aleatët, partnerët dhe institucionet ndërkombëtare të ngarkuara me hetimin e pretendimeve për krime lufte.

“Qeveria e SHBA-së do të vazhdojë të gjurmojë raportimet rreth krimeve të luftës dhe do të ndajë informacionet me aleatët, partnerët, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare”, pohoi Blinken.

Theksojmë se ky njoftim vjen përpara një takimi midis liderëve të NATO-s për agresionin në Ukrainë, i cili do të mbahet nesër.

Ndryshe, Biden kishte deklaruar më parë se presidenti rus, Vladimir Putin është kriminel lufte. /Telegrafi/