Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka komentuar lajmet e fundit që po bëhen rreth formimit të partisë së re të Vjosa Osmanit.
Bislimi në një konferencë për media ka thënë se nuk dëshiron të flasë në emër të saj, por që këto raportime po bëhen me një qëllim, transmeton Telegrafi.
“Mendoj që janë duke ia bërë shumë të vështirë Vjosës me raportimet që po bëhen për personat që do t’i bashkohen asaj. Mendoj që qëllimi i këtyre raportimeve është që ta bëjnë sa më shumë njerëz që të dalin dhe ta mohojnë aderimi, në mënyrë që mendimi i Osmanit të devalvohet përmes njerëzve tjerë. Nuk mendoj që duhet t’i bashkohemi kësaj valleje”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje më herët ka deklaruar se është e hapur për bashkëpunim me Vjosa Osmanin, por kjo e fundit ka pohuar se nuk do t’i bashkohet asnjë partie teksa ka shtuar se LDK ia ka mbyllur çdo derë.
“LDK-ja ku jam rritur ma ka mbyllur çdo derë dhe tash ajo angazhohet në një fushatë denigruese dhe përdorin gjuhë të turpshme. Unë duhet t’i shqyrtoj mundësitë e mia për angazhim politik, por jo të aderoj në një parti tjetër, por të shikohet nëse ka mundësi të krijohet një parti e re”, kishte deklaruar Osmani. /Telegrafi/