Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, priti të hënën në takim lamtumirës ambasadorin e Çekisë, Pavel Bilek.
Sipas njoftimit të Qeverisë, palët konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe punën e zhvilluar gjatë mandatit të ambasadorit Bilek përmes thellimit të bashkëpunimit mes vendeve si dhe vizitave të shumta diplomatike të zhvilluara si në Pragë e po ashtu dhe në Prishtinë.
“U theksua bashkëpunimi në fusha kyçe, veçanërisht sektori i energjisë së ripërtëritshme dhe menaxhimi i ujërave të zeza”, thuhet në komunikatën për media.
“Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet. Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht pranuan në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE”.
Në takim bëhet e ditur se u bisedua dhe mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova është shtet sovran, i cili ndjek parimet demokratike e vlerat evropiane e perëndimore, dhe është në të drejtën e saj legjitime, për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim.
“Puna mes vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të inkurajimit të rritjes së investimeve çeke në Kosovë dhe vizitave biznesore nga miqtë tanë në vendin tonë. Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi fat e suksese të mëtejme ambasadorit Bilek në angazhimin e tij të radhës”, thuhet mes tjerash në njoftim. /Telegrafi/