Telegrafi

Bisedimet për koalicion, ende nuk dihet nëse do të takohen sot Kurti e Mustafa

Janë bërë plot tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve, e Albin Kurti nga LVV dhe Isa Mustafa nga LDK, nuk po mund të bien dakord për të nënshkruar marrëveshjen e koalicionit qeverisës.

Të dy këta kanë zhvilluar takim pas takimi, mirëpo pa rezultat. Ndonëse dje u prit që të ketë diçka konkrete rreth marrëveshjes për koalicion, të dy liderët edhe Kurti edhe Mustafa nuk u prononcuan pas takimit, duke lënë mundësinë kështu për ndonjë takim tjetër sot.

Mirëpo një gjë e tillë ende nuk është bërë e ditur.

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu ka thënë për Telegrafin se deri më tani nuk kanë planifikuar ndonjë takim.

“Deri më tani nuk kemi të planifikuar ndonjë takim”, ka thënë Haxhiu.

Në përpjekje për të bashkëqeverisur dy liderët e partive që nga konstituimi i Kuvendit kanë mbajtur tri takime të njëpasnjëshme, por pa arritur marrëveshjen finale. /Telegrafi/