Telegrafi

Birra Peja, tatimpaguesi më i madh në Kosovë

Birra Peja është shpallur tatimpaguesi më i madh në Kosovë, pasi që gjatë vitit te kaluar ka kontribuar me pagesë të konsiderueshme tatimi në buxhetin e të Kosovës. Ky fakt është edhe një konfirmim që Birra Peja është një ndër brendet më të çmuara të Kosovës – jo vetëm si cilësi, por edhe sa i përket kontributit në zhvillimin e vendit.

“Natyrisht që ne ndihemi krenar për secilin cent me të cilin kemi kontribuar në Buxhetin e Kosovës, që financon mirëqenien e kosovarëve dhe zhvillimin ekonomik. Mirëpo, kontributi jonë në shoqëri nuk përfundon këtu: ne jemi një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Kosovë”, ka pohuar drejtori i Birrarisë, Ernest Jusufi.

Birra Peja është kompani prodhuese me traditë më shumë se 40-vjeçare, që punëson 230 punëtorë dhe ka marrëveshje të përhershme me shumë nënkontraktorë kosovarë. Birra Peja po ashtu është një ndër eksportuesit e rëndësishëm të Kosovës. Kompania eksporton në Shqipëri, Greqi, Britani, si dhe është brendi i vetëm nga Kosova që është futur në rrjetin e dyqaneve COOP në Zvicër.

“Konsiderojmë që eksporti në Zvicër dëshmon për cilësinë e lartë të produktit, që në këtë rast shitet në rrjetin numër një të dyqaneve në tregun më të vështirë dhe më konkurrent të Evropës”, ka shtuar Jusufi.

Birra Peja është pjesë e Devolli Group, një kompani vendore që është e koncentruar në rritjen e prodhimit vendor dhe në përpunimin e lëndës së parë bujqësore në vend. Devolli Group punëson mbi 1200 kosovarë dhe është në bashkëpunim të vazhdueshëm me 2000 fermerë dhe ferma të qumështit që krijojnë të ardhura për rreth 30 mijë familje kosovare.

Devolli Group gjithashtu ka mbi 50 kontraktorë të cilët krijojnë të ardhura solide nga operacionet që zhvillohen në kuadër të grupit. /Telegrafi/