Vlera e Bitcoinit bie pas kritikave të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për kriptovalutat, veçanërisht për kriptovalutën Libra.
Bitcoin si kriptovaluta më e madhe për nga kapitali i tregut, fillimisht u rrit me 6.8 për qind, por që nga dita e premte ka rënë me 15 për qind, po ashtu edhe Ethereum ra me 23 për qind dhe Litecoin me 17 për qind.
Presidenti Trump ka sulmuar kriptovalutën Libra, duke pretenduar se nuk do të jetë i besueshëm.
“Asetet e parregulluara të kriptovalutave mund të lehtësojnë sjelljen e paligjshme, duke përfshirë tregtinë e drogës dhe aktivitete të tjera të paligjshme, ‘monedha virtuale’ e Facebookut, Libra nuk do të jetë i besueshëm”, ka shkruar Trump në Twitter, përcjell Telegrafi.
Sipas analistit financiar, Alfonso Esparza, pas akuzave të Trumpit, vlera e Bitcoinit mund të bjerë në 8 mijë dollarë.
“Bitcoin vazhdon të tregtohet ulët pas komenteve të Presidentit Trump dhe kanë vënë në presion vlerat e kriptovalutave të tjera. Vlera e Bitcoinit prapë mund të bie në 8 mijë dollarë”, thotë Esparza.
Ditë më parë, shumë ligjvënës amerikan dhe evropian kanë vënë në pikëpyetje projektin e Facebookut. /Telegrafi/