Site icon Telegrafi

Biden: Putin po i kushton vëmendje dështimit të SHBA-së për ta ndihmuar Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky pas takimit në Shtëpinë e Bardhë kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp.

Biden tha se presidenti rus, Vladimir Putin po i gëzohet ‘dështimit’ të amerikanëve për ta ndihmuar Ukrainën.

Lexo po ashtu Biden takon Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja ndan 200 milionë dollarë shtesë për Ukrainën

“Ne do të vazhdojmë ta furnizojmë Ukrainën me armë dhe pajisje kritike për aq kohë sa të mundemi; duke përfshirë 200 milionë dollarë që sapo miratova sot për armë dhe ndihma ushtarake”, tha Biden, por shtoi se nevojiten fonde shtesë për shtetin ukrainas.

“Pa mbështetjen financiare shtesë, po vijmë shpejt në fund të aftësisë sonë për të ndihmuar Ukrainën në përgjigjen ndaj kërkesave operative urgjente që ka. Putini po i kushton vëmendje dështimit të SHBA-së për ta ndihmuar Ukrainën. Ne duhet ta dëshmojmë se ai po gabon”, tha 81-vjeçari, duke i bëri thirrje Kongresit amerikan të miratojë financimin e ndihmës për Ukrainën.

Ndërkohë, udhëheqësi ukrainas ka zhvilluar sot takime me ligjvënësit në Capitol Hill. Zelensky u mundua që t’i bindë ligjvënësit republikanë që të votojnë ligjin që parasheh miliarda dollarë ndihmë shtesë për shtetin ukrainas, i cili është në luftë me pushtuesit rus që nga 24 shkurti i vitit të kaluar.

Ndërkohë, Zelensky tha se ishte i lumtur me ftesën për vizitë në Uashington, raporton cnn.

“Ne kemi bërë tashmë përparim të rëndësishëm. Ne kemi treguar se partneriteti ynë është më i fortë se çdo armiqësi ruse”, tha Zelensky, duke shtuar se Ukraina ka çliruar 50 për qind të territoreve të pushtuara nga Rusia.

Ndryshe, ky është udhëtimi i tretë i liderit ukrainas në kryeqytetin amerikan, Uashington. /Telegrafi/

Exit mobile version