Nga: Agron Islami
Beteja e Dytë e Kosovës mund të konsiderohet tentativa e fundit e hungarezëve për dominim në Ballkan. Fitorja e Osmanëve në Betejën e Parë të Kosovës më 1389, krijoi një realitet të ri politik në Ballkan, i cili u përcoll me zgjerime të vrullshme osmane në këto treva, e që nuk mbetën pa u prekur edhe interesat e Mbretërisë Hungareze, sidomos në hapësirën e Beogradit të sotëm, i cili aso kohe ishte nën sundimin e tyre. Kështu që, në vitin 1394, mbreti i Hungarisë, Sigismundo, në bashkëpunim me Papën Bonifiace IX, organizuan një kryqëzatë të re e cila përbëhej nga ushtarë hungarezë, francezë, gjermanë dhe nga kalorës të urdhrit të Shën Gjonit. Aleanca e Krishtere e udhëhequr nga Sigismundi, do të thyhet nga Sulltan Bejaziti II, më 25 shtator 1396, në Nikopolis (Nikopojë).
Ballafaqimi i Bejazitit II, i cili mbante nofkën i Rrufeshëm me Timrulenkun në Betejën e Ankarasë (Angora) më 1402, i kushto me jetë këtij të parit. Ky realitet i ri u krijoi rehatin Hungarezëve. Meqë, shehzadët (princërit) osmanë filluan luftën për fronin dhe nuk ishin në gjendje të fitonin toka në disfavor të hungarezëve. Por, që, me rithemelimin e shtetit osman pas dhe me ardhjen në fron të Muratit II (1421-1451), vrulli i pushtimeve osmane në Ballkan u rikthye. Kështu, mbreti hungarez qysh më 1439 u shtrëngua të riaktivizojë celulat e ushtrive të krishtera për një Bashkim të ri kundër ushtrisë osmane. Kjo erdhi si rezultat i rrethimit të Beogradit nga ana e Sulltanit të ri. Dështimi osman për ta thyer rrethimin e Beogradit, bëri që të rriten shpresat e aleatëve të krishterë për t’u çliruar njëherë e mirë nga osmanët që dita më ditës po gllabëronin toka në hapësirat e Ballkanit të sotëm. Në kuadër të këtij opinioni për triumfin e hungarezëve në Beograd, u realizua edhe kryengritja e suksesshme e sundimtarëve shqiptar Th. Zenebishi dhe Gj. Arianiti të cilët njëherë e mirë asgjësuan timarlinjtë osmanë të cilët kishin marrë në zotërim pronat e tyre. Po ashtu edhe Skënderbeu do t’i ndaj rrugët me sulltanin, i cili do të korr shumë suksese kundrejt ushtrive osmane deri në vdekjen e vet.
Ushtria e krishterë nën komandën e mbretit hungarez dhe kapitenit Janko Huniadi, më 22 shtator 1444 thyen kufirin osman dhe marshuan drejtë tokave të sunduara nga osmanët në Rumeli. Me të marr lajmin për këtë marshim, Sulltan Murati II, i cili kishte hequr dorë nga froni në favor të djalit të tij, Mehmetit 12 vjeçar, u shtrëngua që të rikthehet në fron për tu përballur me aleancën e re antiosmane. Ushtria osmane e drejtuar nga vetë Sulltani drejt Bullgarisë. Dy ushtritë u përballën në fushën e Varnës. Beteja përfundoi me rënien e mbretit Wladislas, ndërsa kapiteni Janko Huniadi arriti që të arratiset në Vllahi.
Rënia e mbretit të Hungarisë ishte një humbje e madhe për hungarezët dhe të gjithë bashkëorganizatorët e Luftës së Varnës. Madje, flota e Papatit dhe forcat tjera të aleancës nuk ishin larguar nga kufinjtë osman, me qellim të vazhdimit të luftës kundër osmane.
Pas zgjedhjes së pesëvjeçarit Wladislas V për mbret të Hungarisë dhe zgjedhjes po ashtu të Janko Huniadit si përfaqësues i mbretit, ky i fundit menjëherë filloi të kërkojë ndihmën e shteteve të krishtera për një luftë të re kundër osmanëve. Ai mori siguri se nuk do të sulmohej nga Habsburgët derisa do të ishte në organizim, dhe beteja me osmanët mori mbështetje në të holla nga Raguza dhe ndihmë në ushtarë nga shtetet e ndryshme të krishtera. Kështu, ushtria e udhëhequr nga Janko Huniadi përbëhej nga hungarezët, sasët, çekët, gjermanët, polakët dhe vllahët. Kësaj ushtrie do t’i bashk[ngjitej edhe kontingjenti i forcave shqiptare të udhëhequra nga Skënderbeu. Vlen të theksohet se pjesë e këtij plani nuk kishin pranuar të jenë Brankoviçi dhe perandori Bizantin Ioannis Paleologosi VIII.
Mbi këto plane, Janko Huniadi përmes Beogradit arriti që të vijë deri në Kosovë, respektivisht në vendin ku ishte zhvilluar Beteja e Parë e Kosovës më 1389, dhe e cila kishte përfunduar me fitoren e osmanëve, por ku kishte mbetur i vdekur sulltan Murati I dhe kjo bëri që për 500 vjet kjo fitore të mos festohej nga osmanët. Gjë që u bë shkak i disa historianëve të kohërave tona ta hedhin poshtë si fakt.
Sulltani i cili në vitin 1448 ishte në ekspeditë për shtypjen e Skënderbeut, mori lajmin nga Gjuraq Brankoviqit për marshimin e ushtrive të krishtera në drejtim të hapësirave të administruara nga osmanët. Menjëherë ndërpreu ekspeditën në Shqipëri dhe shkoi në Sofje për të mbledhur ushtrinë. Pas tubimit të ushtrive, sulltani u drejtua drejtë Kosovës.
Sipas kronistit osman Ashëkpashazade, për të cilin besohet se kishte qenë pjesë e kësaj beteje, pasi që Murati e konfirmoi informatën mbi këtë ushtri, ai arriti para Huniadit në Kosovë, gjë që iu imponua Huniadit të fillojë luftimet para kohe. Kjo u bë shkak që ushtrisë së udhëhequr nga Huniadi të mos mund t’i bashkohej edhe Skënderbeu, i cili sapo kishte dalë nga lufta me sulltanin. Sipas burimeve osmane, beteja nisi me datë 17 tetor dhe zgjati tre ditë. Po këto burime dëftojnë për dërgimin e një emisari nga ana e sulltanit tek krahu kundërshtar për të bërë një marrëveshje. Por, Huniadi nuk e mori parasysh. Andaj beteja filloi ditën e enjte me gjuajtje topash të vegjël. Ndërsa, lufta klasike me ballafaqim fizik u realizua ditën e premte, ku osmanët asgjësuan formacionet ushtarake vllahe dhe hungareze. Ka mendime se Huniadi, bashkë me kapitenët e tij të afërt, me të rënë terri lëshoi fronin. Ndërsa, në ditën e tretë kishin mbetur vetëm formacione ushtarake gjermane të cilat u asgjësuan lehtësisht.
Përkundër asaj se burimet e kohës kanë dhënë numra të ndryshëm sa i përket numrit të ushtarëve, studimet më të reja të bëra nga Feridun Emecen dhe studiuesi hungarez Gabor Agoston, sugjerojnë se dy ushtritë për nga numri ishin të përafërta, diku rreth 50-60 mijë ushtarë. Vlen të theksohet se në Bashkë me Muratin II ishte edhe djali i tij, princ Mehmeti, si dhe kapitenët më të zgjedhur osmanë, në mesin e tyre shqiptarë që i prinin kësaj beteje, prej kryqëzate.
Kjo betejë i hapi rrugë edhe zaptimit të Kostandinopojës më 1453, meqë pushteti osman në Ballkan tanimë ishte i padiskutueshëm dhe u hap rruga për të marr kryeqendrën e Perandorisë Romake të Lindjes (Bizantit). /Telegrafi/