Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk i ndali akuzat ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, duke e quajtur atë më “kriminel” se i penduari i drejtësisë që mban të njëjtin mbiemër, Nuredin Dumani.
Ai akuzoi Dumanin se i ka ofruar Kastriot Ismailit lirimin e menjëhershëm për të inkriminuar Metën, por nuk ia doli.
“Theksoj se brutaliteti, prita dhe brutaliteti i urdhëruar nga Edi Rama i aplikuar ndaj Ilir Metës do të mbetet akti më kriminal, më i turpshëm, më antikushtetues në historinë e këtij vendi. Akt, të cilin nuk e gjeni dot, mjerisht, as në analet e diktatorit Hoxha. Së dyti, nuk mbroj asnjë akt korruptiv të asnjë njeriu. Por, ua them unë ju këtu, të mos paraqesësh dot asnjë fakt dhe ta kesh pasur Kastriot Ismailin 4 apo 6 vite në burg, të kesh përdorur të gjitha metodat për t’i marrë dëshmi kundër Ilir Metës dhe ai nuk ka pohuar asgjë, atëherë më thoni ju mua, cili është ai njeri që mund të besojë deklaratat e tjera, kur personit për të cilin ky akuzohet, i ishte ofruar lirimi i menjëhershëm nëse do pohonte gjënë më të vogël. E kuptoni ju se çfarë drejtësie është kjo? Çfarë turp-drejtësie është kjo?”, tha Berisha, raporton A2 CNN.
“Të akuzosh Ilir Metën se ke porositur një shtëpi te një biznesmen dhe i ke marrë përsipër për të votuar një ligj, në një kohë që mercenar Dumani thotë se ke anuluar blerjen e shtëpisë, por thotë se ligjin e ke kaluar. Duhet të kesh atë fytyrë që kanë, të shkruar në këtë mënyrë para shqiptarëve. Ligjin nuk e kalon Ilir Meta me 20 deputetë, ligjet i kalon Edi Rama me 67 deputetë që kishte. Ligji, për të cilin Dumani pafytyrësisht akuzon Metën se u kalua, në fjalimin panagjerik të Edi Ramës në parlament për këtë ligj ju do gjeni superlativat më të rralla për një ligj. A e kuptoni ju se Altin Dumani është ndoshta më kriminel se Nuredini? Sepse Nuredini ka kryer vrasje, po i ka pohuar ato, i ka rrëfyer aty, i ka treguar ato. Kurse Dumani është një mashtrues ordiner, një njeri që fsheh krimet, që përdor krimet për pengmarrje, që zbaton urdhrat të atyre që e kanë marrë peng”.
Ish-kryeministri, i cili ndodhet vetë në arrest shtëpia me kerkëse të SPAK, e quajti Ilir Metën “të burgosur politik”. “Siç e dini ju, Edi Rama urdhëroi pusinë ndaj tij, çoi bastardin e familjes Hoxha për të qenë i sigurt. Për herë të parë në histori, rendi ka dy policë në krye. Proda është një eksponent i krimit, mbiemër të dytë meriton Shullazi me të dhëna të implikimit të thellë. Dhe nuk mjaftoi ky, po u mor një nga specialistët më të mëdhenj të gjobëvënies në rrugë, ish-famoz për policët rrugorë që gjobiste, u bë ministër”, tha Berisha. /Telegrafi/