Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka ka reaguar ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme SPAK i akuzuar për përfitim të një toke në mënyrë të paligjshme.
Përmes një statusi në faqen e vet në Facebook, Xhaçka thotë se bashkëshorti i saj nuk ka marrë asnjë metër katrorë tokë nga shteti, ndërsa inkurajon SPAK të bëjë punën e vet hetimin e “origjinës së një prone private qysh nga viti 1994”.
“Një kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral. Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese të kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë”, tha ish-ministrja.
“SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund!” shprehet Xhaçka. /Telegrafi/