Mjeku kirurg britaniko-palestinez, profesor Ghassan Abu Sittah, ka rrëfyer përvojën e tij në “zemër të luftimeve” në Gaza, ku tha se u detyrua të kryente amputime në gjashtë fëmijë brenda një nate.
Raportohet se ai mbërriti në Gazë vetëm dy ditë pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit, dhe punoi në spitalet Al-Shifa dhe Al-Ahli, duke trajtuar viktimat e granatimeve intensive dhe operacioneve tokësore, që vlerësohen të kenë vrarë 14,800 njerëz deri më tani, përcjell Telegrafi.
Abu Sittah tha se gjatë qëndrimit të tij atje, deri në 900 fëmijë i janë nënshtruar një amputimi në gjymtyrët e tyre që nga fillimi i luftës.
Ai rrëfeu për një natë të veçantë ku kreu amputime në gjashtë fëmijë, duke treguar se shumica e operacioneve të tij ishin për viktima të raketave të lëshuara nga izraelitët.
“Në ditën e katërt ose të pestë të fushatës ushtarake të Izraelit, gjysma e listës sime operative, e cila ishte rreth dhjetë deri në dymbëdhjetë raste çdo ditë, ishin fëmijë”, ka treguar ai.
Gjatë gjithë kohës së tij në Gaza, profesori dha përditësime të rregullta, duke detajuar kolapsin e sistemit të kujdesit shëndetësor të territorit.
Ai vlerëson se qëllimi i luftës është pastrimi etnik i Gazës.
Dhe Abu-Sittah tani është kthyer në Londër dhe ka shprehur gatishmërinë për të ofruar dëshmi për krime “gjenocidale” nën hetim nga Scotland Yard.
Ai tha se forcat izraelite kanë përdorur municione me fosfor të bardhë, i cili është i ndaluar në luftë sipas ligjit ndërkombëtar, pasi ai njohu djegiet karakteristike që kur ai trajtoi viktimat në luftën Izrael-Gaza të vitit 2009.
Andaj ai kërkon që qeveria britanike të insistojë për lejimin e stafit mjekësor në Gaza dhe të ndërmarrë një hetim të hollësishëm të mundshëm të krimeve të luftës nga Izraeli.
Në një video të shfaqur para gazetarëve, të krijuar nga vetë ai, tregoi pasojat e sulmeve në spitalet e Gazës, ku shihen pamje që ilustrojnë shkatërrimin dhe vuajtjet e popullatës.
Gjithashtu ai ka shpërndarë pamjet e tuneleve nëntokësore të spitalit, për të cilat thotë se janë përdorur nga terroristët e Hamasit. /Telegrafi/