Benfica ka konfirmuar se kanë arritur marrëveshje për të shitur sulmuesin Darwin Nunez te Liverpool për një marrëveshje që mund të arrijë shumën e 100 milionë eurove.
22-vjeçari shkëlqeu në Portugali sezonin e kaluar, duke shënuar 34 gola në 41 ndeshje dhe duke tërhequr interesimin e shumë klubeve të mëdha evropiane.
Benfica ka konfirmuar se Liverpooli do të paguajë 75 milionë euro si shumë fillestare për të nënshkruar me Nunez, me 25 milionë euro të tjera që do të jenë në formë bonusesh.
“Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, Benfica informoi Komisionin Portugez të Tregut të Letrave me Vlerë se kishte arritur një marrëveshje me Liverpool FC për shitjen e të gjitha të drejtave të lojtarit Darwin Nunez, për shumën prej 75 milionë euro”, thuhet në deklaratën e klubit.
Sipas kësaj deklarate thuhet se se shuma e përgjithshme e shitjes mund të arrijë shumën prej 100 milionë euro.
Tani mbetet nënshkrimi i kontratës së lojtarit me Liverpoolin për tu bërë transferimi zyrtar. /Telegrafi/