Tony Bellew mendon se Tyson Fury asnjëherë nuk do të rikthehet në majat e boksit dhe se i vetmi boksier që mund ta mposhtë Anthony Joshuan është Deontay Wilder.
“Është e turpshme që Deontay Wilder ka zhvilluar 40 meçe dhe ka boksuar ndaj emrave të ndryshëm. mirëpo, i vetmi njeri në planet që mund ta mposhtë Anthony Joshuan është Wilder. Askush tjetër nuk ka asnjë shans”.
“As edhe Tyson Fury. Meçet i bëjnë stilet. A mendon dikush se Joshua do ta ketë të vështirë ta godasë Furyn në një pozitë të volitshme? A ka dikush që mendon se Fury ka fuqinë për ta lënduar Joshuan? Është e lehtë ta parashikosh rezultatin e atij dueli”.
“Do të ishte një përfundim brutal dhe mendoj se të njëjtën gjë do t’ia bënte Furyt edhe Wilder. Po ashtu besoj se edhe një boksier i plotë i peshave të mesme do ta bënte të njëjtën gjë”.
“Aktualisht Fury është i dobët. Nuk mendoj se ai do ta kthejë ndonjëherë formën që e ka pasur”, ka deklaruar Bellew.
Ai ka thënë më tej se Joshua do ta mposhtë me lehtësi sfiduesin për titullin WBA, Alexander Povetkin.
Është pritur që këtë vit të zhvillohej superdueli ndërmjet Joshuas dhe Wilderit, mirëpo WBA e ka detyruar britanikun që ta mbrojë titullin ndaj sfidues të detyrueshëm. /Telegrafi/