Site icon Telegrafi

​Bëhet i ditur Ekipi Olimpik i Kosovës për “Tarragona 2018”

Ekipi i Olimpik i Kosovës do të marrë pjesë në lojërat mesdhetare “Tarragona 2018” me 40 sportistë në 12 sporte të ndryshime, me ç’rast është bërë e ditur edhe lista e sportistëve dhe trajnerëve që do të përfaqësojnë vendin tonë.

Risi e këtij ekipi do të jetë edhe Majlinda Kelmendi, e cila nuk do të marrë pjesë në cilësinë e sportistes, por do të jetë e pranishme si trajner bashkë me trajnerin e saj aktual Driton Kukën dhe disa trajnerë tjerë të sporteve të ndryshme.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në një konferencë për media ka bërë të ditur se janë kryer të gjitha përgatitjet me kohë dhe shpreson se nga lojërat mesdhetare do të kthehen me medalje.

Herolind Nishevci, karateist, u shpreh i lumtur që do të marrë pjesë në këto gara të rëndësishme për Kosovën dhe premton se nuk do të kthehet duarthatë nga Spanja.

Për herë të parë në këto gara do të marrin pjesë edhe sportistët e sportit Beach Volley, Vildane Jashari, e cila u shpreh optimiste se nga Spanja do të kthehen me medalje.

Edhe Fortesa Orana, karateiste, beson fuqishëm se nuk do të zhgënjejë në këto gara dhe se motivimi do të jetë maksimal për të rrëmbyer ndonjë medalje.

Pas prezantimit të sportistëve, KOK-u kishte organizuar edhe një ligjëratë antidopingu ku sportistët kishin mundësi të mësonin më shumë rreth dopingut dhe rregullave në Tarragona.

Besim Hasani me bindje të plotë iu tha sportistëve se ai i cili do të dalë pozitiv në doping do të përjashtohet nga kjo garë dhe do të jetë simbol i keq për kombin tonë. Enver Tahiri, doktor, porositi sportistët të kenë kujdes se çfarë përdorin dhe nëse janë duke përdor ndonjë medikament mjekësore, atëherë duhet të posedojnë vërtetimin e mjekut.

Kjo është lista e sportistëve dhe trajnerëve që do të përfaqësojnë Kosovën në “Tarragona 2018”:

Xhudo: Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu. Trajnerë: Driton Kuka, Majlinda Kelmendi

Karate: Herolind Nishevci, Alvin Karaqi, Orges Arifi, Fortesa Orana, Adelina Rama. Trajner: Isak Curri.

Not: Dasar Xhambazi, Dion Kadriu, Dren Ukimeraj, Eda Zeqiri, Fjorda Shabani. Trajner: Ardian Hamiti.

Boks: Besfort Merlaku, Dielli Vranoci, Patriot Behrami, Violant Sylejmani. Trajner: Shefki Bogujevci. Atletikë: Astrit Kryeziu, Gresa Bakraçi, Musa Hajdari, Vijona Kryeziu. Trajner: Zijadin Kryeziu

Shigjetari: Ardita Zejnullahu, Atdhe Luzhnica, Hazir Asllani. Trajner: Fehmi Bylykbashi.

Tenis: Blearta Ukëhaxhaj, Burim Bytyqi, Granit Bajraliu. Trajner: Jeton Hadërgjonaj.

Volejboll në rërë: Armend Berisha, Faton Mustafa, Valmira Ramadani, Vildane Jashari. Trajner: Abedin Ibrahimi.

Pingpong: Fatih Karabaxhaku, Kreshnik Mahmuti, Mentor Shabani. Trajner: Baton Çitaku.

Taekwondo: Butrint Ejupi, Qëndrim Sejfijaj. Trajner: Nuhi Gashi

Peshëngritje: Leonora Brajshori. Trajner: Uzeyir Haciyev.

Shenjëtari: Nexhat Sahiti. Trajner: Bislim Musliu./KosovaPress/

Exit mobile version