Telegrafi

Begaj: Ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i është bashkuar reagimeve pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës, ku një zyrtar policor ka humbur jetën dhe një është plagosur një tjetër.

Në një reagim në rrjetet sociale, Begaj ka thënë se ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Kosovës.

“Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në Komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. Ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Begaj.

Ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagoj ndaj urdhëruesve të këtij akti kriminal.

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka përfunduar ai.

Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë në veri të Kosovës. /Telegrafi/