Site icon Telegrafi

​Begaj e përmbyll vizitën në Kosovë duke qëndruar tek Lidhja e Prizrenit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka përmbyllur vizitën në Kosovë duke qëndruar në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.

Kjo është vizita e tij e parë jashtë Shqipërisë prej kur është zgjedhur president.

Gjatë ditës së hënë, Begaj ka takuar krerët shtetërorë, ku me nderime të larta është pritur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e më pas nga kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

Lexo po ashtu Kosova kërkoi traktat me Shqipërinë për mbrojtje të përbashkët, dialogu me Serbinë dhe çështja e sigurisë në rajon – gjithçka nga vizita e presidentit të Shqipërisë

Gjatë ditës së martë, presidenti shqiptar është takuar edhe me krerët opozitarë në vend, por jo edhe me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo pasi Begaj dhe Abdixhiku nuk janë pajtuar për vendin ku duhet mbajtur takimi.

Presidenti Begaj gjatë qëndrimit në Kosovë ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Pas homazheve pranë varrezave të mbi 50 të vrarëve të familjes Jashari, Begaj ka vizituar edhe kullën ku për disa minuta ka dëgjuar nga ciceroni historinë e sulmeve nga forcat e armatosura serbe.

Po ashtu, ai ka vizituar edhe muzeun në Prekaz, ku ndodhen fotografi, dokumente e dëshmi të shumta të gjenocidit serb.

Ndërkaq, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Begaj përveç krerët e partive opozitare, ka takuar edhe komandantin e KFOR-it, trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të KFOR-it në Pejë, si dhe kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj. /Telegrafi/

Exit mobile version