Kosova të hënën ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Shumë shtete kanë ndihmuar Kosovën që të ecet para drejt anëtarësimit që pritet të bëhet gjatë këtij viti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndihmuar Kosovën për lobim, por edhe Gjermania e Britania e Madhe.
Njëra ndër shtetet tjera është padyshim edhe Shqipëria.
Por, çfarë dhe si u bë votimi dhe ku ishin befasitë?
Befasi për Kosovën është Hungaria, një shtet njohës për Kosovën dhe anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s që ka votuar kundër hyrjes në agjendë.
Ajo që mund të ketë ndikuar të votimi kundër Kosovës nga Hungaria është një afërsi shumë e madhe e kryeministrit të këtij shteti Viktor Orban me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqi e që dytë njihen shumë në publik edhe pro presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Shteti tjetër është që ka votuar kundër Spanja, nga i cili shtet vjen edhe shefi për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel, i cili është edhe ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.
Siç duket Borrel dhe takimet e fundit në Ohër e Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë ndikuar fare në qëndrimin e Spanjës.
Një shtet tjetër që ka votuar kundër është Azerbejxhani. Ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por është shtet mik me Turqinë e Recep Tayyip Erdoganit, por edhe është mik i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
A mund të ndikojnë Erdogan dhe Rama te miku i tyre Ilham Aliyev, president i Azerbajxhanit për një votë pro ose abstenim në të ardhmen mbetet të shihet.
Gjeorgjia është fqinj më Azerbajxhanin dhe është shtet që nuk e ka njohur pavarësisë e Kosovës dhe dje ka votuar gjithashtu kundër.
Dy shtete tjera të BE-së, Qipro, Rumania janë dy vendet e fundit që kanë votuar kundër dhe nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Befasitë në këtë votim për Kosovën
Për herë të parë mund të thuhet se ka shtete që nuk e kanë njohur Kosovën por nuk e kanë bllokuar atë.
Greqia dhe Sllovakia, anëtarë të BE-së e NATO-s kanë abstenuar dhe kjo është një risi në këtë drejtim dhe për këtë kanë shprehur habinë edhe në Serbi.
Madje, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, gjithashtu ka shprehur pakënaqësinë për këtë, raportojnë mediat në Serbi.
Po ashtu, kanë abstenuar Ukraina e Moldavia, dy shtete mos-njohëse për Kosovën.
Kosova ka mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë, duke iu bashkuar shteteve demokratike me sanksione ndaj Rusisë, e po ashtu vendi ynë i ka strehuar një grup të gazetarëve ukrainas të cilët po zhvillojnë veprimtaritë tyre nga Kosova.
Abstenimi i Bosnjës dhe Hercegovinës në këtë votim gjithashtu ka nervozuar Serbinë dhe natyrisht që Daçiqi ka përmendur këtë.
Në anën tjetër shteti i Armenisë nuk ka marrë pjesë fare në votim.
Ndërsa, pro anëtarësimit të Kosovës votuan: Shqipëria, Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Faza e ardhshme mund të jetë në muajin qershor apo të mbetet deri në fund të vitit. /Telegrafi/