Mediat britanike kanë vazhduar të raportojnë për mikpritjen dhe sjelljet mbresëlënëse të qytetarëve të Kosovës që ua kanë bërë anglezëve.
Fundjavën që lamë pas kombëtarja e Anglisë ka qëndruar në vendin tonë për ndeshjen e fundit kualifikuese për ‘Euro 2020’, mirëpo kryetemë e mediave ka qenë sjellja e tifozëve vendas.
Krahas banerëve mikpritës e falënderues dhe flamujve nëpër kryeqytet, tifozët kishin organizuar dicka akoma më të veçantë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në momentin e interpretimit të himnit të Anglisë, të gjithë i kanë ngritur flamujt anglezë, ndërsa ka pasur edhe mesazhe të shumta kundër racizmit.
Këto veprime nuk kanë mundur të kalojnë pa u vërejtur nga gazetarët e mediave prestigjioze, të cilët i kanë thurur lëvdata Kosovës.
“Sikur të kishte më shumë tifozë të futbollit si ata të Kosovës. Një vepër klasi”, shkruan në postimin e faqes zyrtare të BBC Sport në Instagram. /Telegrafi/