Bayern Munich thuhet se po shqyrton një lëvizje për mesfushorin e Manchester Cityt, Kalvin Phillips, në afatin kalimtar të janarit.
Mesfushorit anglez iu dha një mundësi për të dëshmuar veten kundër Newcastle United në “Carabao Cup” nga Pep Guardiola në mungesë të Rodrit, por ai nuk arriti ta shfrytëzojë atë në maksimum duke mos i lënë shumë përshtypje teknikut spanjoll.
Philipps ka luajtur vetëm 70 minuta në Ligën Premier deri më tani këtë sezon dhe që të gjitha nga banka rezervë, indikator i qartë se ai nuk është në planet e trajnerit dhe një transferim në janar është shumë i mundshëm.
Sipas mediumit The Sun, Bayern po e përcjell nga afër situatën e tij dhe mund të bëj një lëvizje për të në dimër ose në verën e ardhshme.
Thomas Tuchel beson se ai mund të rikuperoj versionin më të mirë të lojtarit dhe për këtë arsye ka kërkuar me ngulm që të arrihet një marrëveshje huazimi në afatin kalimtar të janarit, ashtu siç bënë me Joao Cancelo dimrin e kaluar.
City e kishte informuar anglezin se ata ishin të gatshëm ta linin të lëvizte gjatë verës, por lojtari këmbënguli të qëndronte në “Etihad” për të luftuar për një vend në formacion.
Me lojtarin që po synon të marrë më shumë minuta në këmbët e tij në mënyrë që të jetë pjesë e ekipit të Anglisë për EURO 2024, një lëvizje tek Bayern Munich mund të realizohet së shpejti, vetëm në rast se situata e tij aktuale tek City merr një kthesë të papritur./Telegrafi/