Telegrafi

Batatina arsyeton humbjen e thellë të Llapit ndaj Feronikelit

Llapi është turpëruar në udhëtim te Feronikeli, duke humbur 4-0 në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës.

Trajneri i skuadrës nga Podujeva, Tahir Batatina është munduar të arsyetojë këtë debakël, duke thënë se ata janë të fokusuar në ndeshjen ndaj Prishtinës në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës.

“Pjesën e parë kemi dominuar gjatë gjithë kohës, në pjesën e parë kemi pasur dy raste të 100% që t’i realizonim dy gola dhe të ishim shumë të qetë”, deklaroi fillimisht trajneri i klubit llapjan.

“Për shkak të kushteve që janë në teren nuk kam udhëtuar me gjithë ekipin për shkak se vëmendja është në ndeshjen gjysmëfinale kundër Prishtinës. Djemtë e dhanë maksimumin edhe pse nuk është dashur t’i pranonim 4 gola për ndeshjen që kemi bërë”.

Lexo po ashtu Fitore e thellë e Feronikelit në sfidën ndaj Llapit

Ai më pas ka folur gjithashtu edhe për objektivin madhor të Llapit këtë edicion.

“Objektivi jonë është Kupa e Kosovës. Emri i Prishtinës është i madh, e dijë që Prishtina ka super skuadër dhe është skuadër shumë e fortë”.

“I dimi pikat e forta dhe te dobëta të Prishtinës. Do ta japim maksimumin që të marrim rezultat pozitiv ne ndeshjen e parë që të mundomi që ndeshjen e dytë të kalojmë në finale. Besoj në skuadrën time, kam një skuadër që e duan Evropën”.

“Por, gjithmonë duhet vlerësuar Prishtina. Përparësia jonë është se fokusi është vetëm në kupë, kurse Prishtina është duke luftuar në dy frone”, përfundon Batatina.

Llapi mbetet në pozitën e gjashtë të renditjes tabelare me 33 pikë. /Telegrafi/