Barcelona me shumë gjasa do të jetë në ‘gjueti’ për lojtarët e lirë këtë verë në përpjekje për të ndërtuar ekipin e tyre pa pasur humbje financiare.
Njëri ndër objektivat e mundshëm të blaugranasve mund të jetë edhe mesfushori francez Adrien Rabiot, i cili është lidhur me një kalim tek Barcelona tash e disa vite, dhe tani, pasi kontrata e tij me Juventusin do të skadojë në verë, ai pritet të jetë njëri ndër prioritetet kryesore të Barçës.
Siç raporton mediumi katalanas SPORT, Barcelona momentalisht janë duke shqyrtuar mundësinë për t’i ofruar Rabiotit një kontratë dyvjeçare, me opsion vazhdimi edhe një vit tjetër.
Momentalisht tek Juventusi, Rabiot është shndërruar në një lojtar mjaft të rëndësishëm për Max Allegrin në dy sezonet e fundit, por tani kanë mbetur vetëm edhe katër muaj në kontratën e tij aktuale.
Përveç Barcelonës ka pasur edhe një sërë klube tjera që kanë pyetur për situatën e francezit si Inter, Newcastle, Arsenal, Manchester United dhe Bayern Munich.
Transferimi i lojtarëve të lirë ka qenë një strategji e suksesshme për Barcelonën gjatë sezoneve të fundit.
Lojtarë si Andreas Christensen, Inigo Martinez dhe Ilkay Gundogan kanë dhënë një kontribut pozitiv gjatë kohës së tyre në klub, ndërsa Franck Kessie u largua pas vetëm një sezoni, por me një çmim tejet të arsyeshëm për Barcelonën./Telegrafi/