Telegrafi

Barcelona mposht Juventusin në garën për Depay, arrin marrëveshje me holandezin

Barcelona thuhet se ka arritur një marrëveshje me sulmuesin holandez, Memphis Depay, i cili ishte lidhur edhe me një transferim te Juventusi.

Sipas mediumit Calciomercato.com, ylli holandez është i vendosur të zhvendoset në Camp Nou në një transferim falas pasi kontrata e tij me Lyon skadon në fund të muajit.

Juventusi ishte lidhur me sigurimin e shërbimeve të lojtarit pasi Zonja e Vjetër është në kërkim të një qendre sulmuesi të ri në verë.

Lexo po ashtu Juventusi ka bërë ofertë shumë më të lartë se Barcelona për Depay

E ardhmja e Cristiano Ronaldos është në ajër, ndërsa Alvaro Morata do të qëndrojë i huazuar në Torino deri në qershor 2022.

Por, Calciomercato.com raporton se Depay ka nënshkruar një marrëveshje dy-vjeçare, me 5 milionë euro në vit me Barcelonën dhe një njoftim nga gjigantët e La Liga është afër.

Depay u bashkua me Lyonin nga Manchester Unitedi në një marrëveshje prej 16 milionë eurosh në vitin 2017.

Ai shënoi 22 gola në 40 paraqitje në të gjitha garat me gjigantët e Ligue 1. /Telegrafi/