Mesfushori i talentuar i Anderlechtit, Leander Dendoncker mbetet në radarin e skuadrave të mëdha evropiane që po e ndjekin nga afër.
Dendoncker po luan që disa sezone në nivele të larta me Anderlechtin dhe talenti i tij nuk ka mbetur pa rënë në sy nga skuadrat e mëdha.
Mesfushori qendror po pëlqehet në masë të madhe nga skuadrat e mëdha evropiane, të cilat duan ta transferojnë në vitin 2018.
Belgu ishte pjesë startuese e Anderlechtit në takimin e të mërkurës mbrëma të Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munichut dhe shumë skuadra kishin dërguar skautët e tyre për ta shikuar nga afër.
Skuadra të mëdha evropiane si Barcelona dhe Manchester Unitedi kishin dërguar agjentët e tyre për zbulimin e talenteve për ta shikuar Dendonckerin.
Përveç këtyre dy skuadrave, edhe skuadra tjera si Sevilla, Borussia Dortmundi, Marseille dhe Milani ishin të gjitha në pozicion për ta parë belgun në veprim.
Muajin e kaluar ai u pyet për një lëvizje në Old Trafford ku ai zbuloi se “nuk do të hezitonte” për ta bërë këtë kalim.
“Nëse do të ishte aq konkrete sikur të ishte thënë, nëse do të donin me çdo kusht, do të isha tashmë aty”.
“Kur luani për Anderlechtin dhe keni mundësinë të shkoni atje, nuk hezitoni, por Anderlechti e kishte fjalën e tyre, të gjithë duhej të pajtohen”, kishte deklaruar Dendoncker. /Telegrafi/