Telegrafi

Barcelona ia cakton çmimin e largimit Umtitit, francezi drejt transferimit në kampionatin anglez

Samuel Umtiti do të largohet në verë nga Barcelona, pasi ka humbur pozitën e titullarit.

Qendërmbrojtësi francez ka mbetur zgjedhja e tretë tek Blaugranët pas Gerrard Piques dhe Clement Lenglet.

26-vjeçari është që katër vite është pjesë e Barcelonës, por këtë edicion ka zhvilluar vetëm 16 ndeshje në të gjitha garat, kryesisht i inkuadruar nga banka rezervë.

E përditshmja kataluanse Sport ka raportuar se Barcelona është pajtuar ta shes francezin në verë dhe tanimë i kanë caktuar edhe çmimin e largimit.

Samuel Umtiti. (Photo by Eric Alonso/Getty Images)

Kampionët në fuqi të Spanjës po kërkojnë 40 milionë euro për ta lënë të lirë qendërmbrojtësin kampion bote me Francën.

E ardhmja e Umtitit duket se do të jetë në Ligën Premier, pasi Chelsea, Arsenal dhe Manchester United kanë shprehur interesim për transferimin e tij.

Çmimi prej 40 milionë euro nuk është problem për skuadrat angleze që janë të gatshme të shpenzojnë kaq para për të, por tani i mbetet lojtarit të vendos se ku do ta vazhdoj karrierën. /Telegrafi/