Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta beson se Ousmane Dembele tashmë ka një kontratë me një klub tjetër, ndërsa mediat spanjolle dyshojnë që është njëri klub mes Juventusit dhe Manchester United.
Sulmuesi u ble për 140 milionë euro nga Borussia Dortmund në gusht të vitit 2017, ndërsa marrëveshja e tij do të përfundojë më 30 qershor dhe ai ka refuzuar të gjitha ofertat për rinovim, si dhe shanset për t’u larguar në janar.
Refuzimi i tij për t’u larguar pavarësisht interesimit nga Chelsea, Tottenham dhe Paris Saint-Germain ka ngritur dyshime brenda kampit të Barcelonës, ato që Laporta i shprehu me zë të lartë në një konferencë për shtyp.
“Ne i bëmë atij një ofertë shumë të mirë rinovimi”.
“Jam shumë i befasuar që ai nuk pranoi një propozim që kishte nga një klub anglez. Ai nuk donte. Nuk kishte kuptim, sepse nuk ishte mirë për të apo për klubin”.
“Ne mendojmë se Dembele tashmë ka një kontratë me një klub tjetër; na e kanë insinuuar këtë që ndodhi”, ka thënë Laporta.
Sipas gazetës katalanase Sport, janë dy klube që mund të kenë marrëveshje me Dembelen pas krahëve të Barcelonës, konkretisht Juventusi dhe Manchester United.
🎙 Joan Laporta and Jordi Cruyff speak on Dembélé's situation pic.twitter.com/Ac2Eaj0V9H
— FC Barcelona (@FCBarcelona) February 2, 2022
Kjo pasi Juve ka qenë në kontakt me agjentin e Dembeles, por nuk ka bërë ofertë në afatin kalimtar të janarit.
E njëjta gjë vlen edhe për Manchester United, megjithëse skuadra e “Old Trafford” kishte qenë shumë e interesuar, por në mënyrë të dyshimtë këtë herë ishte e qetë. /Telegrafi/