Mario Balotelli ka vendosur të largohet përsëri nga Serie A dhe nga skuadra e tij Brescia.
Thirrjet raciste kanë ndikuar që sulmuesi italian të marrë vendim për tu larguar nga futbolli italian.
E ardhmja e tij duket se do të jetë në kampionatin turk, pasi është gjiganti nga Stambolli, Galatasaray që po insiston për transferimin e tij.
Mediat italiane dhe ato turke kanë raportuar se drejtuesit e klubit kanë kontaktuar tanimë agjentin e Balotellit, Mino Raiola.
Super Marios i ka pëlqyer ideja për t’iu bashkuar Galatasarayt ku do të bëhej partner i sulmit me Radamel Falcaon.
Gjithsesi problemi mbetet kontrata e lojtarit me Brescian, pasi Galatasaray nuk është e gatshme të paguajë më shumë se shtatë milionë euro për Balotellin.
29-vjeçari nëse transferohet në futbollin turk, atëherë Galatasaray do të ishte skuadra e shtatë në karrierë pasi më parë ka luajtur edhe për Interin, Manchester Cityn, Milanin, Liverpoolin, Nicen dhe Olympique Marseillen. /Telegrafi/