Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës, si dhe nënkryetar i AKR-së, ka marrë pjesë sot në shpalosjen e platformës së Albin Kurtit për kryetar të Vetëvendosjes, në Mitrovicë.
Kurti vetë ka njoftuar përmes Facebook për këtë tubim, ku ka postuar edhe disa fotografi, ku në njërën prej tyre shihet edhe Bahtiri.
Gjatë shpalosjes së platformës, Kurti ka thënë se në Mitrovicë ka pasur bisedë “të frytshme, me diskutim të gjerë mbi problemet dhe mundësitë shoqërore e organizative”.
Kurti me këtë rast është takuar me aktivistë të shumtë të Lëvizjes, me të cilët thotë se ka diskutuar për procesin e zgjedhjeve të brendshme si dhe platformën e tij si kandidat për kryetar.
Kurti ndër të tjerash ka ripërsëritur njërën prej pikave kyçe të platformës, atë mbi barazinë gjinore.
Shkrimi i plotë i Kurtit në Facebook
Organizata jonë përballet me të njëjtat probleme që i përjeton edhe shoqëria jonë e gjerë. Ndër problemet më shqetësuese, është diskriminimi gjinor. Këtë problem nuk mund të pretendojmë ta zgjidhim në shoqëri, nëse nuk e zgjidhim në organizatë.
Jam i vetëdijshëm se nuk ekzistojnë receta përfundimtare për zgjidhjen e këtij problemi, i cili ekziston edhe në vendet më të zhvilluara e të emancipuara të botës. Megjithatë, nuk mund të rrimë pasivë, si Lëvizje, ndaj fyerjes dhe abuzimit që nënkuptohet prej pabarazisë.
Kosova nuk do të fitojë me Lëvizjen nëse Lëvizja nuk është e grave po aq sa e burrave, sepse edhe Kosova duhet të jetë e grave po aq sa e burrave.
Hapa fillestarë, por urgjentë në këtë drejtim janë këto:
– Funksionalizimi i komisionit disiplinor, ose themelimi i një komisioni për çështje gjinore, i cili specializohet në shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, dhe në disiplinimin e tyre. Seksizmi në momentin që bëhet cenim i integritetit fizik e moral të dikujt, duhet ndëshkuar pa u falur.
– Edukimi i vazhdueshëm përmes Sekretariatit të Gruas Aktiviste në bashkëpunim me Sekretariatin për Formim Ideopolitik, duke mbajtur takime vetëdijësuese me aktivistë në secilën qendër, trajnime e kurse për gjuhë të huaja, të folurit në publik, duke shpërndarë materiale të përkthyera, e duke nxitur shkrimin dhe diskutimin e temave që lidhen me çështjet gjinore brenda e jashtë organizatës.
– Çdo anëtare e re, pra rishtas e anëtarësuar në VETËVENDOSJE!, për një periudhë fillestare tremujore ta ketë një vajzë ose grua anëtare të mëhershme të Lëvizjes si mentore.
– Nxitja e takimeve të aktivisteve në formën e “sisterhoods” (motëri) në të gjitha Qendrat, me synim krijimin e një komunikimi më të shpeshtë e më cilësor mes tyre, ku fuqizojnë zërin e tyre kolektiv brenda në Lëvizje, shkëmbejnë përvoja, edukojnë njëra-tjetrën, edukojnë edhe djemtë e burrat, si edhe ndikojnë në gjithë Lëvizjen.
– Kod i Sjelljes për të gjithë anëtarët, me theks të veçantë për djemtë dhe burrat, mbi komunikimin dhe shprehjet e papranueshme. Gratë dhe vajzat duhet të kenë ambient pune e diskutimi të sigurt e pa siklet.
– Do të synohet të mbërrihet sa më parë barazia gjinore në punësim, në administratën e Lëvizjes. Në mandatin e ardhshëm Lëvizja duhet ta rishikojnë statutin edhe nga këndvështrimi feminist dhe të kthehet në model për respektimin e barazisë gjinore./Telegrafi/