Kryeministri palestinez, Mohammad Mustafa, tha se Autoriteti Palestinez po bën reforma që do t’i lejojnë atij të qeverisë të gjitha territoret palestineze pas lufte, përfshirë Gazën.
Gjithashtu, ai u bën thirrje vendeve evropiane që t’i bashkohen Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë që ta njohin Shtetin e Palestinës, si hapin e parë drejt paqes së qëndrueshme në rajon.
“Ne duhet të punojmë për t’i ndihmuar njerëzit tanë në Gazë dhe të përgatitemi për ditën që do të jemi në pushtet”, tha Mustafa në një konferencë me Ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares.
“Ne duam të ndërtojmë institucionet e një shteti. Ky është vetëm fillimi i paqes që e kemi pritur për 30 vjet”, shtoi ai, shkruan euronews.
“Është koha për ta bërë realitet njohjen e shtetit dhe anëtarësimi i plotë në Kombet e Bashkuara është gjëja e duhur për ta mbajtur të zbatueshme zgjidhjen me dy shtete dhe për të ngjallur shpresë për paqe për popullin dhe rajonin”.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm spanjoll kritikoi lëvizjet për të “frikësuar” Spanjën pas njohjes së Palestinës.
“Spanja ka qenë shumë e vendosur për ta dënuar sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor. Por, Spanja ka qenë e vendosur edhe të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm në Gazë”, tha Albares.
Bëhet e ditur se Mustafa është takuar edhe me Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Espen Barth Eide, i cili zyrtarisht ka dorëzuar dokumentet që e konfirmojnë njohjen e Palestinës.
Ndryshe, qeveria spanjolle dhe irlandeze do të takohen me homologët e tyre evropianë në Bruksel për t’u bërë thirrje vendeve tjera që ta njohin Palestinën. /Telegrafi/