Pierre Emerick Aubameyang si duket ka vendosur përfundimisht të largohet nga Borussia e Dortmundit.
Ditë më parë në mediat gjermane është raportuar se lojtari kishte vazhduar kontratën me Borussian e Dortmundit, por një gjë e tillë duket se nuk është e vërtetë.
Ka qenë vetë Aubameyang që ka mohuar lajmin për vazhdimin e kontratës me klubin verdh e zi.
“Nuk është e vërtetë se e kam rinovuar kontratën me Dortmundin, së paku në këtë periudhë jo”, ka thënë Aubameyang.
“Gjatë afatit të transferimeve mund të ndodhin shumë gjëra, por të presim dhe të shohim”, tha sulmuesi nga Gaboni.
Ai është lidhur me skuadrat angleze si Chelsea, Liverpool e Everton por edhe me atë italian Milan dhe spanjolle Atletico Madrid.
Lojtari duket se ia ka hapur dyert gjigantit spanjoll Atletico Madrid, duke thënë se gjithçka mund të ndodh.
“E dimë të gjithë se Atletico po kërkon sulmues të rinj pasi Griezmann duket se do të largohet. Për sa më përket mua, të shohim pasi gjithçka mund të ndodhë”, përfundoi sulmuesi nga Gaboni.
Aubameyang iu bashkua Dortmundit në verën e vitit 2013 nga St Etienne për 13 milionë euro, por tani klubi gjerman po kërkon së paku 70 milionë për ta lënë të lirë.
Kontrata e 28-vjeçarin me klubin verdh e zi skadon në verën e vitit 2021. /Telegrafi/