Dy javë më parë, qindra luftëtarë ukrainas përfunduan përpjekjet e tyre për mbrojtjen e fabrikës së çelikut Azovstal.
Dhe deri tani, disa nga të dashurit e tyre thonë se ende kanë dëgjuar pak ose aspak informacion mbi vendndodhjen e tyre.
“Unë nuk kam qenë në kontakt me burrin tim ose nuk kam marrë ndonjë informacion për të kohët e fundit”, ka thënë Anna Ivleva, gruaja e Anton, një marinar i cili u plagos rëndë gjatë rrethimit në fabrikën në Mariupol.
“Hera e fundit që folëm ishte më 13 prill. Dhe pastaj vëllezërit e tij më dërgonin mesazhe se ai ishte ende gjallë”, ka bërë të ditur Ivleva, përcjell Telegrafi.
Megjithëse zyrtarët e qeverisë ukrainase kanë qenë në kontakt, ajo nuk ka “asnjë informacion” se ku po mbahen luftëtarët e Azovstal dhe në çfarë kushtesh, tha ajo për CNN.
Megjithatë, ajo shpreson se burri i saj është ende gjallë, edhe nëse është në robëri.
“Ne të gjithë – familjet, gratë dhe nënat e marinsave, po qëndrojmë afër njëri-tjetrit, ne jemi gjithmonë në kontakt me njëri-tjetrin 24/7”, ka treguar më tej ajo. “Ne shkëmbejmë gjithmonë çdo lajm të disponueshëm, jemi si një familje”.
Pas një rrethimi të gjatë, qyteti port ukrainas i Mariupol ra nën kontrollin e plotë rus në fillim të këtij muaji me dorëzimin e Azovstal, vendi i fundit i qytetit ku qëndruan forcat ukrainase.
Sidoqoftë, është e paqartë se sa trupa ukrainase janë tani në paraburgimin rus, por ushtria ruse ka pohuar se mbi 2,000 anëtarë të shërbimit ukrainas janë dorëzuar atje.
Ndryshe, propaganda shtetërore ruse i ka demonizuar mbrojtësit e Azovstal si “nazistë”, duke ngritur shqetësime serioze se si mund të trajtohen në robëri.
Ndërkohë një grua tjetër e quajtur Yana – i dashuri i së cilës është një marinar që ishte në Azovstal – foli për CNN.
“Unë nuk kam dëgjuar nga ai apo asgjë për të”, citohet të ketë thënë ajo. “Hera e fundit që kemi qenë në kontakt ka qenë më 11 maj”.
Qeveria ukrainase nuk ka dhënë asnjë informacion se ku mund të jetë i dashuri i saj, tha ajo.
“Nëna e të dashurit tim u kontaktua nga [Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq – ICRC], nuk e mbaj mend kur saktësisht. Ata i thanë vetëm se ishte gjallë, kaq”.
ICRC është përfshirë në regjistrimin e luftëtarëve që largohen nga uzina Azovstal që nga 17 maji – pjesërisht për të ndihmuar të burgosurit e luftës të mbajnë kontakte me familjet e tyre.
Organizata ka punuar në Ukrainë që nga viti 2014, kur filloi lufta në rajonin e Donbasit të Ukrainës.
Veç këtyre, edhe një grua tjetër e një mbrojtësi të Azovstal, Tetiana, tha se burri i saj arriti ta telefononte nga një numër i panjohur pas dorëzimit dhe tha se disa nga shokët e tij po mbaheshin në një qytet në rajonin e Donjeckut të kontrolluar nga separatistët.
CNN pranoi të mos raportonte mbiemrin e saj për të njëjtat arsye.
“Zëri i tij ishte i qetë”, ka treguar ajo. “Ai tha se kushtet që po mbaheshin ishin në rregull. Ai tha se mund të jetë e mundur që në të ardhmen të lejohen të marrin disa pako”.
Tetiana tha se foli me burrin e saj për rreth dhjetë minuta dhe se burri i saj tha se do të përpiqej të telefononte përsëri.
Por që atëherë, edhe ajo nuk ka dëgjuar asgjë.
“Kjo është ajo që ndodhi, nuk ka më telefonata apo lajme”. /Telegrafi/