Telegrafi

Asensio dhe Vazquez tallen me De Gean, e thërrasin “Karius, Karius” gjatë miqësores mes Realit dhe Unitedit

David De Gea është tallur nga dyshja spanjolle e Real Madridit, Lucas Vazquez dhe Marco Asensio, të cilët e kanë thirrur “Karius, Karius” duke e barazuar atë me portierin e Liverpoolit.  

Manchester United dhe Real Madridit luajtën mes vete në një miqësore para-sezonale në International Champions Cup në Hard Rock Stadium të Miamit.

Kjo ndeshje përfundoi me fitoren e Djajve të Kuq me rezultat 2-1, pasi Jose Mourinho kishte vendosur të luante me lojtarë të konfirmuar, për dallim nga Julen Lopetegui, i cili provoi shumë të rinj.

Lexo po ashtu Një tjetër gafë qesharake nga Karius gjatë përgatitjeve para miqësores së Liverpoolit ndaj Chesterit

Megjithatë, vëmendja nuk ishte edhe aq shumë te rezultati i ndeshjes, por diku tjetër.

Asensio, Vazquez e De Gea duke diskutuar mes vete

Gazeta spanjolle Marca ka publikuar një video, ku shihen dy spanjollët e Real Madridit, Vazquez dhe Asensio duke u tallur me bashkëkombësin e tij, portierin e Unitedit, De Gea.

Dyshja e Mbretërve shihen duke e thirrur De Gean me fjalët “Karius, Karius” dhe duke qeshur, teksa u përshëndetën me portierin në tunelin e stadiumit.

Lexo po ashtu Më dobët se De Gea nuk ka bërë asnjë portier në Botëror që nga viti 1966

Kjo sekuencë u incizua nga programi ‘El Golazo’ dhe u shfaq më vonë edhe në televizion dhe rrjete, duke krijuar shumë të qeshura tek të ftuarit dhe shikuesit.

Ashtu si portieri i Liverpoolit, Karius, që bëri gabime në finalen e Ligës së Kampionëve, edhe De Gea bëri një gabim të profilit të lartë në një gol të pranuar nga Cristiano Ronaldo gjatë një ndeshje në grup në Kupën e Botës, ndërsa gjithë Botërorin pati paraqitje skandaloze. /Telegrafi/