David De Gea është tallur nga dyshja spanjolle e Real Madridit, Lucas Vazquez dhe Marco Asensio, të cilët e kanë thirrur “Karius, Karius” duke e barazuar atë me portierin e Liverpoolit.
Manchester United dhe Real Madridit luajtën mes vete në një miqësore para-sezonale në International Champions Cup në Hard Rock Stadium të Miamit.
Kjo ndeshje përfundoi me fitoren e Djajve të Kuq me rezultat 2-1, pasi Jose Mourinho kishte vendosur të luante me lojtarë të konfirmuar, për dallim nga Julen Lopetegui, i cili provoi shumë të rinj.
Megjithatë, vëmendja nuk ishte edhe aq shumë te rezultati i ndeshjes, por diku tjetër.
Gazeta spanjolle Marca ka publikuar një video, ku shihen dy spanjollët e Real Madridit, Vazquez dhe Asensio duke u tallur me bashkëkombësin e tij, portierin e Unitedit, De Gea.
Asensio calling De Gea "Karius" after Real Madrid vs. Man Unieted friendly 😐https://t.co/6wkRQFbhNT
— Liverpool Family (@LFC_FAMILY) August 1, 2018
Dyshja e Mbretërve shihen duke e thirrur De Gean me fjalët “Karius, Karius” dhe duke qeshur, teksa u përshëndetën me portierin në tunelin e stadiumit.
Kjo sekuencë u incizua nga programi ‘El Golazo’ dhe u shfaq më vonë edhe në televizion dhe rrjete, duke krijuar shumë të qeshura tek të ftuarit dhe shikuesit.
Ashtu si portieri i Liverpoolit, Karius, që bëri gabime në finalen e Ligës së Kampionëve, edhe De Gea bëri një gabim të profilit të lartë në një gol të pranuar nga Cristiano Ronaldo gjatë një ndeshje në grup në Kupën e Botës, ndërsa gjithë Botërorin pati paraqitje skandaloze. /Telegrafi/