Telegrafi

Arthur mbërrin në Torino për vizita mjekësore, zyrtarizimi te Juventusi vetëm çështje kohe

Arthur Melo dhe Nelson Semedo. (Photo by David Ramos/Getty Images)

Pas shumë negociatave të gjata, Juventus dhe Barcelona kanë arritur marrëveshje për brazilianin Arthur Melo dhe boshnjakun Miralem Pjanic.

Menjëherë pas ndeshjes me Celta Vigon mbrëmë, Arthur Melo është rikthyer në Barcelonë pastaj është nisur drejt Torinos.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel, Arthur Melo ka zbarkuar në aeroportin e Torinos së bashku me babanë e tij Ailton, vëllanë Paulo Henrique si dhe dy avokatët e tij.

Reprezentuesi brazilian sot do të jetë në J-Medical për t’i bërë vizitat mjekësore te Juventusi para se të nënshkruajë kontratë të re.

Pas vizitave mjekësore 23-vjeçari pritet të prezantohet nga kampioni i shumëfishtë i Italisë.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme edhe Miralem Pjanic pritet t’i bëjë testet mjekësore te Barcelona.

Dy klubet e mëdha evropiane kanë arritur një marrëveshje për shkëmbimin e lojtarëve, ku përveç Miralem Pjanicit (i vlerësuar 60 milionë euro), Barcelona do t’i fitojë edhe 15 milionë euro nga largimi i Arthur Melos. /Telegrafi/