Arsenali po kërkon të përforcohet në repartin defensivë dhe qëllimi është ta transferojë një mbrojtës të djathtë.
Dëshira kryesore e londinezëve është mbrojtësi i djathtë francez Sacha Boey i cili po kalon nëpër një formë fantastike në vitet e fundit me fanellën e gjigantit turk Galatasaray.
Anësori francez ishte edhe në verë objektiv i Topçinjve, por në fund Galatasaray bllokoi largimin e tij.
Mikel Arteta e pëlqen shumë francezin dhe ka kërkuar nga drejtuesit e klubit afrimin e tij në janar në mënyrë që Ben White të rikthehet në qendër të mbrojtjes.
Arsenali është duke e përcjell ecurinë e lojtarit dhe qëllimi është ta transferojnë atë gjatë afatit kalimtar të janarit.
Megjithatë nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Boey konsiderohet si një nga pikat kyçe te kampioni në fuqi i Turqisë.
23-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 17 ndeshje me fanellën e Galatasarayt, derisa kartoni i tij vlerësohet rreth 25 milionë euro. /Telegrafi/