Telegrafi

Arsenali fiton Superkupën e Anglisë (Video)

Arsenali është fitues i Community Shield, pasi në përballjen e zhvilluar në Wembley Stadium e mposhti Chelsean pas ekzekutimit të penaltive, duke qenë se rezultati i kohës së rregullt ishte 1-1.

Skuadrat bënë një lojë të mirë në gjysmën e parë, megjithëse Topçinjtë luajtën më mirë në 45 minutat e para.

Të zgjedhurit e Arsene Wenger e nisën më mirë takimin duke i shkaktuar probleme mbrojtjes së Bluve, ndërsa Alexandre Lacazette e goditi shtyllën.

Nga ana tjetër, kampioni i Ligës Premier nuk krijoi shumë, Michy Batshuayi dështoi të tregohej i rëndësishëm, ndërsa Pedro dhe Willian ishin lojtarët më të mirë të Antonio Contes në fraksionin e parë.

Goli i Victor Moses (Twitter)

Me të filluar pjesa e dytë, Gary Cahill bëri një asistim të mrekullueshëm me kokë për Victor Moses, i cili doli i vetëm përballë portierit Cech dhe nuk e pati të vështirë të shënonte (46’).

Në vazhdim të lojës, Chelsea mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Pedro Rodriguez u përjashtua me karton të kuq (80’).

Xhaka asistoi në golin e barazimit (Twitter)

Menjëherë pas, Sead Kolasinac e barazoi rezultatin duke shënuar me kokë (82’), pas harkimit të Granit Xhakës.

Lexo po ashtu Courtois ia mohon një gol fantastik Xhakës (Video)

Në minutat e mbetura nuk pati gola ta tjerë, ashtu që fituesin e vendosën penaltitë. Pas ekzekutimit të njëmbëdhjetëmetërshave, më të saktë u treguan lojtarët e Arsenalit, të cilët e fituan Superkupën e njohur si Community Shield.

Superkupa e Anglisë njihet si FA Community Shield dhe aty ndeshen kampioni i Ligës Premier dhe fituesi i Kupës FA. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=OmP3_J29sjM