Drejtori gjeneral i Juventusit, Giuseppe Marotta, është i bindur se Massimiliano Allegri do të qëndrojë te Zonja e Vjetër për një kohë të gjatë dhe se ai nuk do të largohet në fund të sezonit.
Trajneri italian është bërë shënjestra kryesore e Arsenalit për ta zënë vendin e Arsene Wengerit, mirëpo Bianconerët nuk e kanë në plan ta lejojnë largimin e tij.
Ai është po ashtu edhe në listën e ngushtë të Chelseat, meqenëse krerët e klubit nuk janë të kënaqur me taktikat e Antonio Contes në Stamford Bridge.
Nga ana tjetër, në garë për të qëndron edhe Paris Saint-Germaini që pritet ta largojë Unai Emeryn për shkak të mungesës së suksesit në Ligën e Kampionëve.
Vet Allegri e ka hedhur poshtë mundësinë që ta vazhdojë karrierën në Ligën Premier, ndërkohë që edhe shefi i tij, Marotta, e ka thënë të njëjtën gjë.
“Allegri ka një kontratë me ne për shumë vite”, ka deklaruar Marotta për ANSA.
“Raporti me të është i shkëlqyer, ne jemi akoma ndër klubet më të rëndësishme në botë dhe nuk ka arsye për largim, prandaj nuk kemi ndonjë problem”, ka shtuar drejtori i Juves.
Allegri është trajner i Bianconerëve nga viti 2014. Me herët, ai e ka drejtuar Milanin (2010-2014), Cagliarin (2008–2010), Sassuolon (2007-2008) dhe disa klube tjera më të vogla në Itali. /Telegrafi/