Telegrafi

Arrestohet njëri nga udhëheqësit e ‘Jelekëve të Verdhë’

Njëri nga udhëheqësit e “Jelekëve të Verdhë” në Francë, Maxime Nicolle u arrestua me arsyetimin se ka vazhduar të protestojë pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga policia.

Sipas lajmeve në shtypin francez mësohet se Nicolle është arrestuar mbrëmë në protestat e zhvilluara në Bordeaux, me arsyetimin se pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga policia ka vazhduar protestën duke nxitur edhe protestuesit e tjerë.

Në një deklaratë para se të arrestohej, Nicolle ka thënë, se “ata që thonë se ka përfunduar lëvizja e ‘Jelekëve të Verdhë’ të shikojnë këtu. Jemi në muajin janar dhe ndodhemi ende këtu. Do të vazhdojmë protestat sa të jetë e nevojshme”.

Lexo po ashtu Protestat në Francë, katastrofë për ekonominë e vendit

Ndërkohë edhe Eric Drouet, një tjetër udhëheqës i “Jelekëve të Verdhë” në një postim në rrjetet sociale pas plagosjes së rëndë në sy nga ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës ndaj Jerome Rodrigeus në protestat e zhvilluara mbrëmë në sheshin Bastille” të Parisit, ka ndarë mesazhin “Lërini mënjanë grindjet, lufta nuk luhet por fitohet. Bëj thirrje për kryengritje të pashembullt me çdo mundësi”.

Lexo po ashtu Vazhdon përplasja e 'Jelekëve të Verdhë' me policinë

Protestat e “Jelekëve të Verdhë” po mbahen tashmë prej 11-javësh me radhë në mbarë Francë nën masa intensive të sigurisë. /Telegrafi/