Telegrafi

Arrestohet një person në Pejë, e mbajti për tri ditë të mbyllur një grua dhe fëmijën e saj

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një preson, pasi i njëjti për tri ditë rresht e kishte mbajtur të mbyllur në shtëpi një grua me fëmijën e saj.

“Me datë 20.03.2022, rreth orës 16:00, Policia është informuar se në rrugën ‘Agush Gjoci’ në Pejë, një femër së bashku me fëmijën e saj është duke u mbajtur e mbyllur pa dëshirën e saj në një shtëpi”, thuhet në komunikatën e Policisë, transmeton Telegrafi.

Sipas njoftimit, Policia menjëherë iu është përgjigjur vendit të ngjarjes, nga aty kanë marrë viktimën së bashku me fëmijën, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë.

Viktima ka deklaruar se është mbajtur e mbyllur tri ditë nga i dyshuari, pa dëshirën e saj.

“Njësiti i hetimeve pranë Stacionit Policor në Pejë, pas një pune intensive operativo-hetimore, sot me datë 22.03.2022, ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin  M.D. i lindur me 1966. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në ndalim Policor prej 48 orësh”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/