Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë në Shqipëri, Ilir Beqaj. Në pranga kanë rënë dhe dy persona të tjerë.
Arrestimi është kryer nga policia e Tiranës.
Ndërkohe ish-ministri po hetohej nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) nën masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje” për ‘shpërdorim detyre’ lidhur me kontratën koncensionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin.
Dy personat e tjerë të arrestuar janë Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.
Sipas informacioneve paraprake bëhet fjale për abuzime me donacionet e huaja. Çështja ka lidhje me fondet e drejtorisë SASPAC, ku dyshohet se ka kryer fatura fiktive, falsifikime dokumentesh, etj.
Lidhur me këtë dosje pak muaj më parë u zhvilluan disa kontrolle në disa biznese. Beqaj doli në komunikime me vartës të tij në kohën kur drejtonte zyrën e SASPAC, biseda lidhej me “kopsitjen” e letrave dhe praktikave.
Hetimi i kësaj dosjeje do bëhet nga prokurorja Elida Kaçkini dhe Altin Dumani.
Tashme Beqaj krahas masës së sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë vendit” për sterilizimin , i shtohet edhe mase e dytë e sigurisë ajo e arrestit me burg.
Ish-ministri socialist i shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte prej shumë muajsh me statusin e personit nën hetim dhe paraqitej çdo të premte në SPAK.
Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama.
Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta caktuar atë me masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat për sa i përket aferës së sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. /Telegrafi/