Site icon Telegrafi

Arrestohet i dyshuari për vrasjen në Peran të Podujevës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen në Peran të Podujevës është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se vrasje në Peran ka ndodhur të hënën në orën 17:55.

“Fsh. Peran, Podujevë 13.06.2022-17:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë përkatëse policore, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raport.

Më vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari në mbajtje.

Ndryshe, një person ka mbetur i vdekur të hënën në orën 17:55 në fshatin Peran të Podujevës, pasi është qëlluar me armë.

Rasti ka ndodhur brenda familjes, ku dyshohet se babai ka vrarë djalin e tij për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth pronës.

Dyshimet e para janë se viktima (djali) ka marrë për të punuar tokën e një fqinji të tij, me të cilin dorasi i dyshuar (babai), ka pasur më parë një konflikt. Megjithatë, zyrtarisht ende nuk është sqaruar se cili ka qenë motivi që dyshohet se shtyu prindin të shkrepë armën mbi djalin e tij.

Sidoqoftë, vrasja ka ndodhur në një arë, që ndodhet afër shtëpisë së tyre, në lagjen “Ismajli” në fshatin Bajqinë. Këtë fshat dhe fshatin tjetër, Peran, i ndanë vetëm rruga.

Lidhur me këtë rast tragjik ka reaguar edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Rasti i vrasjes në Peran të Podujevës na ka tronditur të gjithëve. Duke u lutur që të jetë i fundit ky rast i vrasjes, ngushëllime familjes dhe miqve!”, ka shkruar Bulliqi. /Telegrafi/

Exit mobile version